Shqipëri, rritet në 23 numri i rasteve me koronavirus

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka konfirmuar se pas testimeve deri tani 23 raste kanë rezultuar pozitiv për COVID-19, ku në mesin e tyre është edhe viktima e parë

Shqipëri, rritet në 23 numri i rasteve me koronavirus

Në Shqipëri vazhdon të rritet numri i personave të konfirmuar si të prekur me koronavirusin e ri (COVID-19), ndërsa vijojnë testimet dhe gjurmimet për personat e dyshuar, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka konfirmuar se pas testimeve deri tani 23 raste kanë rezultuar pozitiv për COVID-19, ku në mesin e tyre është edhe viktima e parë që u shënua më 11 mars.

“Gjatë 24 orëve të fundit janë testuar 145 raste për COVID-19 dhe në total janë gjithsej 298 raste të testuara. Deri në këto momente 23 raste kanë rezultuar pozitiv për COVID-19. Pesë ndodhen në spitalin Infektiv në Tiranë. Gjendja e tyre deri në këto momente është e stabilizuar. Ndërsa 18 raste të tjera që kanë rezultuar pozitiv janë të vetëizoluar në shtëpi pa probleme të veçanta", thuhet në njoftimin e ministrisë.

Shpërndarja e rasteve të konfirmuara me COVID-19 sipas qyteteve është 16 raste në Tiranë, tre në Durrës (njëra prej të cilave ka ndërruar jetë), dy në Elbasan, si dhe nga një rast në Lushnje dhe Rrogozhinë

Sipas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, të gjitha rastet kanë pasur histori udhëtimi me Italinë.

Masat kundër përhapjes së koronavirusit në Shqipëri

Institucionet në Shqipëri vazhdojnë të marrin masa shtesë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri (COVID-19). Patrullat policore në bashkëpunim me patrullat ushtarake janë angazhuar në pika kontrolli në disa qytete të vendit, në kuadër të zbatimit të masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Në kuadër të masave shtesë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, njoftoi në rrjetet sociale se nga sot në mesditë nuk ka transport urban në Tiranë dhe Durrës pa specifikuar një afat, ndërsa sipas tij do të ketë transport të dedikuar për mjekët dhe infermierët.

Gjithashtu Rama ka njoftuar se do të mbyllet për disa ditë qarkullimi i automjeteve private dhe atyre të transportit ndërurban drejt Tiranës dhe Durrësit apo anasjelltas nga Tirana dhe Durrësi drejt zonave të tjera të vendit, si dhe qarkullimi i automjeteve private në Tiranë dhe Durrës dhe qarkullimi i automjeteve private dhe urbanëve në Shkodër, Lezhë, Lushnje, Fier dhe Vlorë.

Institucionet në vend kanë marrë disa masa të tjera, duke përfshirë mbylljen e të gjitha bareve, restoranteve dhe klubeve, fillimisht në Tiranë dhe Durrës, dhe mbylljen në të gjithë vendin të ambienteve si lokale nate, disko, qendra sportive, pishina, qendra kulturore, qendra sociale dhe pezullimin e veprimtarisë dhe shërbimeve gjyqësore.

Në gjithë vendin në institucionet arsimore publike dhe jopublike, është vendosur ndërprerja e procesit mësimor deri më 23 mars.

Në kuadër të masave për mbylljen e institucioneve arsimore, mësimet në shkollat e Fondacionit Maarif në Shqipëri po zhvillohen në mënyre interaktive online.

Gjithashtu edhe për institucionet arsimore publike, institucionet shtetërore kanë marrë masa për ofrimin e mësimeve online apo në platforma televizive.

Ndërkohë, edhe Kuvendi i Shqipërisë ka anuluar seancën e sotme plenare, ndërsa Këshilli i Ministrave i Shqipërisë ka vendosur deri më 23 mars 2020 ditë pushimi për njërin nga prindërit kujdestarë të fëmijëve, që janë nëpunës civilë dhe punonjës të tjerë të administratës publike, të nivelit qendror e vendor, si dhe në institucionet e tjera shtetërore. Ndërkaq, nuk do të ofrohen më shërbime nëpër sportelet e institucioneve për të gjitha aplikimet që ofrohen edhe online.

Gjithashtu është vendosur pezullimi i të gjitha fluturimeve dhe linjave të transportit detar, nga Shqipëria në Itali dhe anasjelltas. Ky vendim, sipas Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, prek vetëm transportin e pasagjerëve, pasi do të vijojnë normalisht lundrimet e anijeve tregtare dhe fluturimet e avionëve të mallrave.

Në kudër të masave, Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ka pezulluar të gjitha aktivitetet futbollistike në Shqipëri. “Nisur nga përshkallëzimi i kësaj situate dhe duke ndjerë përgjegjësi maksimale për të gjithë personat e përfshirë në jetën futbollistike në vend si dhe pas propozimit te Komitetit të Emergjencave në FSHF, Komiteti Ekzekutiv vendosi pezullimin e të gjitha aktiviteteve futbollistike. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë deri në një komunikim tjetër të Federatës së Futbollit”, thuhet në njoftimin e FSHF-së.

Numri global i vdekjeve nga koronavirusi ka tejkaluar shifrën 4.600, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e shpalli koronavirusin një pandemi globale.